Drejtoresha e Open Data Albania, Aranita Brahaj, ka reaguar në rrjetet sociale duke ngritur shqetësime të forta për zhvillimet e fundit që lidhen me Korridorin 8 dhe infrastrukturën strategjike të vendit.
Në reagimin e saj, Brahaj shprehet se në 48 orët e fundit Shqipëria “ka mbetur zyrtarisht pa Korridor 8”, duke theksuar se bëhet fjalë për një korridor fizik transporti dhe jo për projekte propagandistike. Ajo rendit një sërë problematikash, që sipas saj kanë çuar në këtë situatë, si dhënia e portit për zhvillime të pasurive të paluajtshme pa ndërtuar më parë një port të ri, mungesa e investimeve reale në hekurudhë, degradimi i rrugëve dhe shtratit të lumenjve, si edhe tenderimi i akseve rrugore me procedura që i cilëson klienteliste.
Sipas Brahajt, këto zhvillime përbëjnë një dëm serioz për ekonominë dhe pozicionin gjeopolitik të Shqipërisë. Ajo shprehet se, në vlerësimin e saj, situata nuk lidhet vetëm me korrupsionin, por mund të konsiderohet edhe si “tradhti kombëtare”.
Në reagimin publik, Brahaj thekson gjithashtu se dobësimi i këtij korridori ndikon drejtpërdrejt në procesin e integrimit në Bashkimi Europian, në sigurinë e lidhur me NATO, si dhe në konkurrencën rajonale, duke favorizuar sipas saj zhvillimin e korridoreve të tjera ekonomike në rajon në kurriz të Shqipërisë.
Ajo paralajmëron se vendi rrezikon të mbetet pas në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe detare, duke e krahasuar situatën aktuale me një kthim pas në kohë në sektorin e transportit.



