back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 24 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetDer Standard: Projektligji i Ramës mbron Ballukun dhe minon pavarësinë e gjyqësorit

Der Standard: Projektligji i Ramës mbron Ballukun dhe minon pavarësinë e gjyqësorit

Prestigjiozja austriake Der Standard ka publikuar një analizë të detajuar mbi zhvillimet politike në Shqipëri, duke vendosur në qendër të vëmendjes përplasjen midis Kryeministrit Edi Rama dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gazetarja Adelheid Wölfl, thekson se debati për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku është moment kritik për ndarjen e pushteteve dhe të ardhmen e reformës në drejtësi.

Analiza e medias austriake fokusohet te tentativa për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke ngritur shqetësime mbi balancën midis ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe mbi barazinë e qytetarëve para ligjit. Der Standard vë në pah se zhvillimet në Tiranë ndiqen me kujdes edhe në Bruksel, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të debatit europian mbi sundimin e ligjit.

Në fillim të javës, parlamenti shqyrtoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila dyshohet për ndërhyrje në një proces tenderimi publik për shtatë projekte të mëdha rrugësh, duke favorizuar një ofertues të caktuar. Kryeministri Rama reagoi ashpër dhe përdori çështjen për të zhvilluar një betejë personale kundër gjyqësorit. Kur SPAK kërkoi pezullimin e Ballukut në nëntor, Rama paraqiti ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke e quajtur vendimin një “precedent unik dhe të rrezikshëm”. Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të pezullimit në fillim të shkurtit.

Javën e kaluar, Partia Socialiste propozoi ndryshimin e Nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që do të bënte zyrtarët kryesorë, përfshirë kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të papërfshirë nga pezullimi në rast dyshimi për korrupsion. Analistët kritikojnë ndryshimin si një hap prapa për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër klientelizmit dhe korrupsionit.

Ermal Hasimja nga Forumi për Dialog Politik thotë se ndryshimet i shërbejnë Ramës për të parandaluar pezullimin e tij në të ardhmen dhe për të forcuar kontrollin mbi degën ekzekutive. SPAK dhe Gjykata e Posaçme, të krijuara vitet e fundit si pjesë e reformës në drejtësi dhe të mbështetura nga SHBA dhe partnerët e BE, konsiderohen nga qytetarët si institucione të besueshme.

Megjithatë, Rama ka nisur një fushatë agresive kundër gjyqësorit, duke përdorur sulme publike dhe mediatike për të dobësuar SPAK-un, ndërkohë që disa ministra dhe zyrtarë të rëndësishëm janë akuzuar ose dënuar. Rigels Xhemollari nga OJQ-ja Qëndresa Qytetare kritikon projektligjin si një hap pas për zhvillimin demokratik dhe për sundimin e ligjit, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Analistët theksojnë gjithashtu mungesën e konsultimeve publike dhe ekspertëve në procesin e ndryshimeve ligjore. Fushata kundër gjyqësorit vendos klasën politike shqiptare në një pozitë të vështirë, ndërsa paralajmërimi i Parlamentit Europian mbi pasojat për sulmin ndaj pavarësisë së gjyqësorit thekson rëndësinë e respektimit të standardeve europiane.

Në një kohë kur Shqipëria synon anëtarësimin në BE, vendimi i Ramës për të lejuar vendin t’i bashkohet Këshilli i Paqes i Presidentit amerikan Donald Trump ka krijuar shqetësime brenda Bashkimit Evropian mbi ruajtjen e pavarësisë së institucioneve gjyqësore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat