Një studim i ri i Bankes Botërore mbi financat publike të Shqipërisë ngre shqetësime serioze për mënyrën si përdoren fondet publike, veçanërisht në sektorin e transportit dhe infrastrukturës.
Raporti “Albania Public Finance Review 2025” analizon shpenzimet publike dhe thekson se përmirësimi i cilësisë së investimeve është kyç për rritjen ekonomike dhe për afrimin me Bashkimi Europian.
Sipas studimit, Shqipëria ka alokuar gati 6% të PBB-së për investime publike, por rrjeti i transportit vazhdon të vuajë nga probleme të mëdha: rrugët janë në gjendje të dobët, trafiku i mbingarkuar dhe ndotja e lartë; transporti hekurudhor dhe detar pengohen nga infrastruktura e vjetër.
Banka Botërore thekson se eliminimi i jo-efikasitetit në investimet infrastrukturore mund të rrisë cilësinë e infrastrukturës deri në 18.6%, duke përmirësuar konkurrueshmërinë ekonomike dhe shërbimet për qytetarët dhe bizneset.
Raporti paralajmëron gjithashtu rreziqet fiskale që lidhen me detyrimet e ndërmarrjeve shtetërore dhe partneritetet publike-private (PPP), veçanërisht në energji dhe transport. Ekspertët vënë në dukje se efikasiteti i dobët i investimeve publike rrit presionin mbi financat publike dhe kufizon efektin ekonomik të fondeve të shpenzuara.
Një problem shtesë lidhet me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Sektori i transportit dhe energjisë është shumë i ekspozuar, ndërsa financimi për menaxhimin e fatkeqësive dhe mbrojtjen e mjedisit mbetet i pamjaftueshëm. Për të arritur standardet rajonale, Shqipërisë i duhet të rrisë shpenzimet për klimën dhe mjedisin me 0.4–0.9% të PBB-së.
Rekomandimet e Bankës Botërore janë të qarta: Shqipëria duhet të fokusohet në përzgjedhjen e projekteve infrastrukturore, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve, forcimin e institucioneve dhe monitorimin e investimeve. Pa këto masa, shpenzimet e larta në transport rrezikojnë të mos japin efektin e pritur në zhvillimin ekonomik.
Ekspertët nënvizojnë se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por cilësia dhe efikasiteti i tyre. Përmirësimi i menaxhimit të projekteve dhe transparencës është vendimtar për të siguruar që investimet të japin rezultat dhe të afrojnë Shqipërinë me standardet europiane.



