Një armë e lirë, e prodhuar në masë dhe me një zhurmë që i ngjan asaj të një kositëseje bari është përdorur në sulmin ndaj bazës britanike në RAF Akrotiri, në Qipro.
Bëhet fjalë për dronët iranianë Shahed-136, të njohur si pjesë e familjes “Sahed”, të cilët udhëtojnë me rreth 185 km/orë. Sipas raportimeve, në drejtim të objektivit u lëshuan të paktën dy mjete ajrore pa pilot, por asnjëri nuk arriti të godasë shënjestrën.
Megjithëse nuk konsiderohet një dron me teknologji të sofistikuar apo me shpejtësi të lartë, ai rezulton efektiv në rast se arrin të depërtojë sistemet e mbrojtjes ajrore. Sulmi i fundit, edhe pse i dështuar në goditje, ishte i mjaftueshëm për të çuar në evakuimin e personelit nga dy bazat britanike në ishull.
I cilësuar si “Kallashnikovi i Iranit” për shkak të thjeshtësisë dhe kostos së ulët, droni përshkruhet nga e përditshmja britanike The Telegraph si një mjet i lirë, me rreze të gjatë veprimi dhe prodhim ekonomik.
“Sahed” është një dron vetëvrasës (kamikaz), i projektuar të ngrihet, të fluturojë drejt objektivit dhe të shpërthejë në momentin e goditjes. Ai përdoret shpesh në sulme me valë, me qëllim mbingarkimin e radarëve dhe sistemeve mbrojtëse.
Rrezja maksimale e veprimit mund të arrijë deri në 2,000 kilometra. Varianti më i njohur, Shahed-136, mban një ngarkesë shpërthyese prej rreth 40 kilogramësh, ndërsa me modifikime kapaciteti mund të rritet. Ky model është përdorur gjerësisht nga Rusia në luftën në Ukrainë, si dhe nga Irani në përplasjet me Izraelin dhe nga rebelët Huthi në Jemen.
Sulmi ndaj bazës britanike në Qipro konfirmon rolin gjithnjë e më të madh të dronëve me kosto të ulët në konfliktet moderne, ku teknologjia e thjeshtë, por e përdorur në numër të madh, mund të krijojë presion të konsiderueshëm mbi sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore.



