Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, ka folur këtë të martë në tryezën për Reformën Zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të kuadrit zgjedhor në vend.
Tarran u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të përforcuar sistemin e saj zgjedhor, ndërsa e cilësoi rifillimin e punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore si një sinjal pozitiv.
Ai vuri theksin edhe te transparenca financiare e partive politike, duke e konsideruar financimin e tyre si një element kyç për rritjen e besimit të publikut. Sipas tij, deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve, si dhe garantimi i barazisë mes të gjitha subjekteve politike, mbeten prioritete thelbësore.



