Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka vendosur pezullimin nga detyra të dy drejtorëve të Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Klesti Çela dhe Fatmir Meta, pas një incidenti të rëndë të raportuar brenda ambienteve të institucionit.
Sipas informacionit zyrtar, drejtori i Mjedisit në IKMT, Klesti Çela, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj drejtorit të Zbatimit të Vendimeve, Fatmir Meta. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në zyrën e këtij të fundit, ku Çela, i shoqëruar nga tre persona të tjerë, e ka goditur Metën me qyta pistolete.
Pas marrjes së njoftimit zyrtar nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur menjëherë verifikimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në një deklaratë zyrtare, Inspektori i Përgjithshëm thekson se personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal.
“Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se institucioni nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo cenim të integritetit institucional.
“Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional. Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie. Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut”, vijon deklarata.



