Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka mohuar se ka lëshuar ndonjë raketë drejt Turqisë, pas raportimeve se mbrojtja e NATO-s kishte rrëzuar një raketë që po hynte në hapësirën ajrore turke.
“Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqinë, dhe mohojnë çdo lëshim rakete drejt territorit të saj,” thuhet në deklaratën e ushtrisë iraniane, të cituar nga agjencia Mehr.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, raketa ishte duke fluturuar mbi Irak dhe Siri para se të afrohej pranë hapësirës ajrore turke, por u interceptua pa shkaktuar viktima.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia po merr “të gjitha masat e nevojshme paraprake” në koordinim me aleatët e NATO-s dhe po jep “paralajmërime të qarta për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen”.



