Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me fraksionin e dosjes së inceneratorit të Elbasan. Përmes avokatit të tij, organi i akuzës i ka komunikuar ish-zyrtarit të lartë tre akuza penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje dhe mosdeklarim pasurie”.
Sipas SPAK, përfundimi i hetimeve i është komunikuar gjithashtu edhe disa personave të tjerë të përfshirë në këtë procedim penal, mes tyre bashkëjetueses së Ahmetajt, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka. Po ashtu, nën hetim në këtë çështje janë edhe shtetasit Andi Boni, Geirjan Kuka, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Sonila Meqemeja, Elidon Begaj dhe Elda Dinaj.
Dosja për inceneratorin e Elbasanit është një fraksion i ndarë nga procedimi mëmë që lidhet me hetimet për koncesionet e inceneratorëve në vend. Sipas hetimeve të deritanishme, personat e përfshirë dyshohen për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe përfitime të paligjshme nga kontratat publike.
Hetimi për këtë çështje është zhvilluar nga tre prokurorët e posaçëm të SPAK: Altin Dumani, Enkeleda Millonai dhe Bledar Maksuti.
Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj është shpallur në kërkim nga SPAK që prej korrikut të vitit 2023. Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka vendosur gjithashtu sekuestro mbi disa prona që dyshohet se janë në pronësi të tij ose të familjarëve të tij.
Paralelisht me këtë çështje, Ahmetaj po përballet edhe me një tjetër proces gjyqësor në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” në dosjen e njohur si “Buka sha”.
Mbyllja e hetimeve nga SPAK i hap rrugën fazës së radhës procedurale, ku pritet të vendoset nëse çështja do të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ndërsa hetimet për aferën e inceneratorëve mbeten ndër dosjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.



