Pas kritikave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, procedura për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme që mbeti në garë, Archirodon, nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar më 9 mars.
Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos. Ky vendim për pezullim vjen pas kërkesave dhe instimit të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë i kishte adresuar një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë, duke theksuar se projekti i Porto Romanos është një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe se shtyrja e garës do të ofronte mundësinë që Shqipëria të rritet si konkurrent rajonal.
Ndërkohë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet lidhur me procedurën e tenderit për të sqaruar çdo pasaktësi ose shkelje gjatë procesit të prokurimit.



