Sali Berisha, kreu i PD, ka zbuluar detaje mbi organizimin e protestës kombëtare të opozitës, e cila pritet të zhvillohet nesër në orën 18:00.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha bëri të ditur se deputetët nuk do të qëndrojnë në vijën e parë të protestës, por do të shpërndahen pranë qytetarëve në zonat e tyre.
Sipas tij, kjo është një strategji organizative që mund të pësojë ndryshime, ndërsa theksoi se demonstruesit duhet të përdorin edhe forma të tjera presioni, si bllokimi i rrugëve me mjete.
“Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë pranë protestuesve të zonave të tyre. Kjo edhe mund të ndryshojë. Ishte taktikë dhe qëndrim i yni,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën si “narkodiktaturë” dhe duke akuzuar për censurë, manipulim dhe mashtrim.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të jenë aktivë edhe në rrjetet sociale, duke i konsideruar ato si një mjet të rëndësishëm për të kundërshtuar, sipas tij, propagandën qeveritare.
Protesta e nesërme pritet të jetë një nga mobilizimet më të rëndësishme të opozitës, ndërsa mbetet për t’u parë niveli i pjesëmarrjes dhe zhvillimi i saj në terren.



