Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar një armëpushim pesëditor me Iranin, pas dy ditësh bisedimesh që ai i cilësoi si të suksesshme dhe produktive mes dy vendeve.
Në një deklaratë publike, Trump bëri të ditur se vendimi për pezullimin e përkohshëm të veprimeve ushtarake lidhet me ecurinë e negociatave në vijim, të cilat synojnë një zgjidhje të plotë të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe pesëditore, Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin sulme ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës së energjisë në Iran.
“Jam i kënaqur të raportoj se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë pasur bisedime shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme,” u shpreh Trump.
Ai shtoi se, bazuar në tonin konstruktiv të diskutimeve, ka udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj objektivave energjetike iraniane për pesë ditë, ndërsa negociatat do të vijojnë gjatë gjithë javës.
Trump theksoi se e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve do të varet nga suksesi i grupeve negociatore në ditët në vijim.



