Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se vendi ka nevojë për një paketë të re ligjore që të garantojë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe integritet në funksionimin e partive politike dhe procesin zgjedhor.
Sipas ISP-së, fillimisht duhet një ligj i ri për partitë politike, i cili të rregullojë qartë çështje si legjitimiteti i strukturave, databaza e anëtarëve, pronësia dhe aktivitetet e tyre rregullatore. Sipas tij, kjo do të rriste standardet e transparencës dhe kontrollit mbi funksionimin e partive.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas ISP, është hartimi i një ligji të posaçëm për financimin elektoral dhe politik. Ky ligj duhet të përfshijë edhe lobimin brenda dhe jashtë vendit, financimet nga diaspora, si dhe rolin në rritje të mediave të reja në fushatat zgjedhore.
Në të njëjtën kohë, ISP kërkon edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe reformim të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me qëllim rritjen e efektivitetit, matshmërisë dhe llogaridhënies së këtij institucioni. “Në të tre rastet duhet ndërthurur dekriminalizimi me parimet e nenit 9 të Kushtetutës, për të sjellë një paketë ndryshimesh që garanton transparencë dhe integritet,” theksohet në qëndrimin e institutit.
Sa i përket zgjatjes së fushatave përtej afateve ligjore, ISP shpreh rezerva për ndikimin real në rezultatet zgjedhore. Sipas tij, kjo mund të përbëjë një deformim standardi dhe të favorizojë partitë në pushtet, por nuk ka prova të qarta që ndikon drejtpërdrejt në rezultatin final të votimit.
Instituti nënvizon gjithashtu rëndësinë e ndarjes së partisë nga shteti si një parim themelor që duhet respektuar në çdo kohë.
Në lidhje me KQZ-në, ISP vlerëson se institucioni nuk mund të jetë plotësisht efektiv për sa kohë mbetet një strukturë e deleguar politikisht. Sipas tij, strukturat e emëruara nga partitë nuk mund të ushtrojnë kontroll real mbi vetë partitë, duke ngritur pikëpyetje mbi pavarësinë dhe funksionimin e këtij institucioni.



