back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 26 Mars, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëKina drejt risive teknologjike moderne

Kina drejt risive teknologjike moderne

Autor: Dr. Jorgji Kote

Mjeshtër i Madh në Diplomaci

Viti 2026 shënoi për Republikën Popullore të Kinës fillimin e zbatimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar 2026-2030. Një moment historik, mbasi falë këtij Plani, ajo do të shënojë hope dhe përparime cilësore në të gjitha frontet drejt realizimit të synimit strategjik për modernizimin socialist deri më 2035.

Parimet dhe piketat kryesore të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit për Planin e 15 -të Pesëvjeçar  janë pasqyruar në Rekomandimet e Plenumit të  4-t të KQ të PKK-së të mbajtur në Pekin më 20 – 24 Tetor 2025.  Ai  do të kthehet në Ligj themeltar me miratimin e tij në Kongresin Kombëtar të Popullit në Mars 2026.

Në kuadrin e modernizimit me përparësi të ekonomisë, ky Plan përmban objektiva themelore për përparim të hovshëm në fushën e shkencës dhe inovacionit teknologjik si dhe në zhvillimin e forcave të reja me rendiment të lartë. Për rrjedhojë,  Kina pritet të ketë edhe tregues shumë më të lartë cilësorë socialë, duke bërë hapa të mëdhenj përpara në zbatimin e Nismës madhore “Kina e Bukur”, etj.

Ashtu siç pohojnë ekspertë të njohur ndërkombëtarë, këtu nuk bëhet fjalë për slogane dhe retorika politike, ca më pak për propagandë, por për një Plan real dhe thellësisht reformues, i mbështetur në një bazë të konsoliduar gjatë pesë viteve të kaluara dhe në mundësitë e reja të mëdha që  çelen në të ardhmen e afërt.

Në fakt, këto vitet e fundit Kina ka shënuar arritje mbresëlënëse në fushat e shkencës dhe novacionit teknologjik. Kështu, shpenzimet për kërkim-zhvillim në vitin 2024 kapën shifrën  507.6 Miliard Dollarë amerikanë, me një rritje 48 për qind kundrejt vitit 2020. Lidhur me kapacitetet novatore, nga e 14-ta në vitin 2020, në vitin 2024 Kina u rendit e 10-ta në botë. Edhe niveli i integrimit teknologjik gjatë të njëjtës periudhe ishte  42 për qind më i lartë.

Në Rekomandimet mbi Planin e lartpërmendur nënvizohet se promovimi i risive teknologjike  është domosdoshmëri imperative historike që buron nga kërkesat e brendshme ekonomike, sociale, të mbrojtjes, sigurisë, etj.

Kështu, vitin e kaluar Kina u ndesh me disa sfida serioze strukturore për shkak edhe të modelit të rritjes ekonomike të vendit, i cili mbështetet kryesisht mbi eksportet. Mirëpo, shtrenjtimi i  kostove të prodhimit dhe rreziqet gjeopolitike, sidomos konflikti për tarifat me SHBA-të kanë krijuar pengesa dhe rreziqe serioze për këtë model, i cili gjithsesi do të vazhdojë të ketë përparësi.

Këto sfida dhe kërkesa të reja epokale bëjnë që Kina t’i kushtojë përparësi shumë  më të madhe  risive teknologjike në të 12 fushat që përmenden në Rekomandimet në fjalë; ku Kina vjen me një bazë premtuese, si lider botëror në  teknologjinë digjitale, energjitike dhe atë industriale.

Një central energjie diellor në fusha./ Foto nga VCG

Duke iu referuar edhe deklaratave për median të Ministrit të Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës, Yin Hejun më 24 Tetor 2025, gjatë viteve 2026 – 2030 do në këtë fushë jetike për Kinën por jo vetëm do të realizohen disa reforma themelore. Përpjekjet kryesore do të përqendrohen në përpunimin e materialeve të teknologjisë së lartë – aliazhe dhe gjysëmpërçuesat, reaktorët bërthamorë, teknologjia satelitore dhe hapësinore, fotovoltaikët, automjetet elektrikë, fabrikat “smart”,  teknologjitë mobile dhe të shëndetit, ku ndonëse  disi më mbrapa, sërish rritja e prodhimit vendas është dinamike. Më konkretisht, ndër shembujt e shumtë në këto fusha përmendet njoftimi mbi vënien në funksionim në vitin 2030 i  fabrikës së parë  pa njeri për prodhimin me robotë të automobilave, çka përgjysmon kostot e prodhimit.

Një punëtor në punishten e mbushjes së elektroliteve të një kompanie baterish litium-jon me guaskë çeliku të vogël në Anhui, Kinë lindore, nëntor 2025. /Foto nga VCG

Ndërkohë, industritë tradicionale të çeliqeve dhe kimikateve do të modernizohen nëpërmjet transformimit digjital, automatizimit dhe standardeve mjedisore.

Gjithashtu do të motivohen “ industri të reja shtyllë”, duke përfshirë aerohapësirën, materiale të reja, energjinë e pastër dhe prodhimi inteligjent. Shteti do t’i mbështesë këto industri me stimuj fiskalë, fonde më të mëdha për kërkim – zhvillim dhe nëpërmjet bashkërendimit të politikave industriale.

Në vijim, do të vazhdojnë përpjekjet për të modernizuar një grup industrish të reja në fushën e teknologjisë së informacionit të gjeneratës së re, me synimin që Kina të vihet në krye të industrisë në fushat e teknologjisë kuantum dhe bioteknologjisë.

Për të konsoliduar themelet e këtij aspekti madhor, rëndësi e veçantë do t’i kushtohet  edhe forcimit të mëtejshëm të rolit të ndërmarrjeve. Thelbësore për këtë do të jetë mbështetja  e ndërmarrjeve të mëdha, të vogla e të mesme të teknologjisë së lartë, shtimi i shpenzimeve për kërkim/zhvillim, etj. Kjo merr rëndësi edhe më të madhe kur mendon  se në fund të vitit 2024 në Kinë numëroheshin mbi 4500 ndërmarrje të angazhuara me IA-në.

Gjithashtu, shteti do të bëjë investime të mëdha në veprimtarinë kërkimore dhe do të inkurajojë novacionin  ne sektorin privat, duke shtuar laboratorët  dhe panelet teknologjike. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe integrimi i plotë i arsimit dhe kërkimit shkencor. Universitetet do të shtojnë bashkëpunimin me bizneset për të promovuar talente dhe zbulime të reja shkencore.

Foto nga VCG

Përpjekjet të tjera më të mëdha për inovacion dhe risi teknologjike do të përqendrohen në fusha kyçe si qarqet e integruara, makineri industriale dhe instrumente të cilësisë së lartë, në  teknologjitë bazë – gjysëmpërçuesat, bioprodhimi dhe në teknologjitë e IA-së, duke shtuar modelet e reja të algoritmave, të dhënave dhe çipeve të fjalës së fundit. Që kjo ka filluar qysh tani, mjafton të përmendim  se, siç është bërë e ditur edhe në median ndërkombëtare ditët e fundit,  laboratori i specializuar ’Vuhan’ në Shangaj ka prodhuar çipe kompjuterike me fibër sa një fije floku, të cilat i rezistojnë një ngarkese 15,6 ton dhe mund të mbajnë 100.000 tranzitorë për centimetër.

Këto zhvillime dhe risi teknologjike ofrojnë mundësi të mëdha edhe për kompanitë e huaja. Sipas Pingwen Hu, Partner i Lartë dhe Kontabilist Publik në ECOVIS, në Shangai “në pozita më të favorshme do të jenë kompanitë  që do ta  vlerësojnë Kinën më shumë si partnere strategjike afat-gjatë se sa si treg i madh”

Në vijim, rëndësi të veçantë do të marrë bashkëpunimi dhe shkëmbimet ndërkombëtare në fushën e IA-së, ku Kina synon të ndërtojë një sistem global qeverisjeje IA, duke përballuar sfidat globale në bashkëpunim me vendet e tjera.

Këtu shembulli më i freskët është Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar, e nënshkruar më 25 Janar gjatë vizitës në Pekin të Kryeministrit Starmer; ndër të tjera, Londra do të investojë 15 miliard Dollarë për investime në fushën e shëndetësisë me produktet “Astra Zeneka”. Marrëveshje të ngjashme Kina ka përfunduar edhe me Kanadanë, Finlandën dhe këtë pritet ta bëjë më vonë me Gjermaninë dhe vende të tjera europiane.

Këtu vlen të theksohet se ndryshe nga Kina, e cila nuk mbajtur qëndrime negative ndaj ujdive perëndimore, SHBA-të kanë bërë paralajmërime dhe  kërcënime  ndaj Kanadasë dhe Britanisë së Madhe për marrëveshjet e lartpërmendura me Kinën!

Ky imazh i kapur në Qendrën e Kontrollit Hapësinor të Pekinit tregon një foto në grup të ekuipazhit të anijeve kozmike me pilot Shenzhou-19 dhe Shenzhou-20.

Këto qëndrime konstruktive kineze burojnë nga fakti tjetër tejet i  rëndësishëm  se edhe në politikat shkencore dhe teknologjike, Kina i përmbahet  multilaterizmit, të drejtës ndërkombëtare, dialogut institucional dhe respektimit të vendimeve të organizatave ndërkombëtare përkatëse, duke filluar nga OKB-ja dhe filialet e  saj përkatëse. Kështu, disa ditë më parë Kina fitoi një proces gjyqësor në Organizatën Botërore të Tregtisë ndaj ish Administratës së Presidentit Biden lidhur me një kredi subvencionuese të saj për shtetasit amerikanë  për blerjen e  veturave elektrike, si formë e dëmshme e dumpingut social.

Mirëpo prapë, ndryshe nga Kina, Komisioni Europian paditi më 3 Shkurt kompaninë e madhe kineze të prodhimit të turbinave të erës, ” Goldwind” e cila, sipas BE-së, mund të ketë siguruar subvencione shtetërore. MPJ-ja kineze i përgënjeshtroi akuzat si ” akte proteksioniste dhe diskriminuese” për të penguar investimet kineze në Europë.  Shqetësimi madhor këtu  është se ndërkohë që BE-ja kërkon të nxisë partneritetin ekonomik me Kinën, ajo ngutet duke kaluar në padi gjyqësore, kur  të dyja palët i kanë të gjitha mekanizmat e duhura të konsultimeve deri te OBT-ja  për t’i sheshuar dhe zgjidhur këto aspekte me mirëkuptim dhe jo ” majë më majë”.

Ca më tepër kur dihet, madje edhe vetë krerët e OKB-së kanë njohur dhe vlerësuar shprehimisht këto hapa dhe masa kineze në zbatim të Nismës strategjike për Sigurinë Globale të lançuar në Prill 2022 nga Presidenti kinez Xi Jinping; ndër gjashtë komponentët e saj themelorë figuron me theks të veçantë siguria dhe pavarësia ekonomike nga vendet e tjera, por ama pa dëmtuar, madje duke e zgjeruar  bashkëpunimin me to edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë dhe mbi bazën e përfitimit të ndërsjellë. Madje, ajo po shoqërohet me vlera të shtuara edhe nga nismat madhore për Zhvillim, Qytetërim dhe Qeverisje Globale.

Pamje e një linje transmetimi 220 kilovolt që kalon nëpër kullotat dhe shkretëtirat e gjera në qytetin Ordos, Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme në veri të Kinës, qershor 2025. /Foto nga VCG

Së fundi, padyshim që dukuritë, zhvillimet dhe pritshmëritë e mësipërme të Kinës ofrojnë shanse dhe mundësi më të mëdha edhe për bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, sidomos të Balkanit Perendimor dhe më konkretisht me Shqipërinë. Për fat të mirë, trashëgojmë një traditë shumë të mirë bashkëpunimi dypalësh, ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët politik nga të dyja shtetet dhe qeveritë, kemi forume, nisma, por edhe dinamika pozitive të marrëdhënieve në vitet e fundit.

Këtë e them edhe si ish ekonomist për 15 vite në Ish Ministrinë e Tregtisë së Jashtme në vitet 70 dhe 80, ku pata rastin të shoh dobinë e madhe të ndihmës dhe  bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe teknik por edhe dëmet e mëdha që pësoi ekonomia dhe niveli i jetesës së popullit tonë pas prishjes së atyre marrëdhënieve për shkaqe ideologjike të pajustifikueshme, sepse rregjimi ynë i atëhershëm si gjithë botës, donte t’i jepte mend edhe Kinës dhe politikës së saj të madhe transformuese.

Ndaj, tani mbetet vetëm që organet dhe institucionet përkatëse, krahas kujdesit dhe vlerësimit të drejte të çdo elementi të çlirohen nga dogmat, paragjykimet dhe tabutë e vjetra por edhe të reja ideologjike. Duke u dhënë përpaësi shanseve, mundësive dhe efekteve të pritshme pozitive të bashkëpunimit me Kinën  edhe në drejtim të përpjekjeve për modernizimin e teknologjisë sonë në të gjitha fushat e lartpërmendura, në planin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat