Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme kanë nisur të reflektohen edhe në tregun shqiptar, duke sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve për disa produkte bazë të shportës ushqimore.
Në një konferencë për mediat, Ibrahimaj theksoi se qeveria nuk ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve, pasi ato formohen nga mekanizmat e tregut të lirë, konkretisht nga kërkesa dhe oferta.
“Unë nuk thashë që do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm, sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime,” u shpreh ministrja, duke sqaruar se situata e produkteve ushqimore ndryshon nga ajo e karburanteve, ku aplikohet një mekanizëm kontrolli përmes Bordit të Transparencës.
Megjithatë, ajo bëri të ditur se institucionet janë duke monitoruar në mënyrë të përditshme tregun, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e çdo rasti abuziv me çmimet.
“Ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive,” theksoi Ibrahimaj.
Ministrja paralajmëroi se në rast se rritja e çmimeve do të jetë e vazhdueshme dhe do të ndikojë ndjeshëm në përballueshmërinë e qytetarëve, qeveria do të ndërhyjë me masa mbështetëse për shtresat më në nevojë.
“Fokusi ynë është te pensionistët dhe familjet që nuk e përballojnë dot rritjen e çmimeve, qoftë edhe për një periudhë të përkohshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se konfliktet ndërkombëtare kanë ndikime të përkohshme, por që kërkojnë reagim social.
Ibrahimaj ritheksoi se modeli ekonomik i vendit nuk lejon ndërhyrje direkte në çmime, duke nënvizuar dallimin mes tregjeve të ndryshme dhe kufizimet që ka qeveria në këtë drejtim.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur qytetarët po përballen me rritje të kostos së jetesës, ndërsa zhvillimet gjeopolitike vijojnë të ndikojnë zinxhirët globalë të furnizimit dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare.



