Gjatë vitit 2024, rreth 1.2 milionë persona përfituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian ku jetonin, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me një vit më parë. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, e cila evidenton një trend në rritje të natyralizimeve në të gjithë bllokun.
Krahasuar me vitin 2014, kur u dhanë rreth 762 mijë shtetësi, rritja arrin në 54.5%, duke reflektuar një intensifikim të proceseve të integrimit dhe migracionit në vendet e Bashkimi Evropian.
Tre vendet që dhanë numrin më të madh të shtetësive gjatë vitit 2024 janë Gjermania me 288,700 shtetësi (24.5% e totalit), Spanja me 252,500 (21.4%) dhe Italia me 217,400 (18.5%).
Sa i përket përkatësisë së përfituesve, pjesa dërrmuese rreth 88% janë shtetas nga vende jashtë BE-së, ndërsa vetëm 10.6% janë qytetarë të vendeve anëtare që kanë marrë shtetësi në një tjetër shtet të unionit.
Edhe për vitin 2024, shtetasit sirianë kryesojnë listën e përfituesve me 110,100 shtetësi të reja, të ndjekur nga marokenët me 97,100. Në vendin e tretë renditen shqiptarët, me rreth 48,000 shtetësi të përfituara, duke konfirmuar një prani të fortë në proceset e natyralizimit në BE.
Nga ana tjetër, norma e natyralizimit që mat raportin mes numrit të shtetësive të dhëna dhe popullsisë jo-shtetase – rezulton më e larta në Suedi, me 7.5 shtetësi për çdo 100 banorë jo-shtetas. Pas saj renditet Italia me 4.1, ndërsa Spanja dhe Holanda ndajnë vendin e tretë me nga 3.9.
Në fund të renditjes qëndrojnë Lituani me vetëm 0.1, si dhe Bullgari dhe Estoni me nga 0.3 secila.
Raporti i Eurostat ofron një pasqyrë të qartë të dinamikave të migracionit dhe integrimit në Evropë, duke treguar se kërkesa për shtetësi në vendet e BE-së vijon të mbetet e lartë.



