Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar pas vendimit të fundit të Bordi i Transparencës për rritjen e çmimit të karburanteve, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e këtij mekanizmi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishi thekson se para krijimit të Bordit, çmimi i naftës ishte më i ulët, ndërsa pas ndërhyrjes së tij ka pësuar rritje.
“Para Bordit…, nafta ishte 214 lekë për litër. Me bordin është … 218 lekë. Pyetje: bordi u ngrit për të ulur apo për të rritur çmimin?”, shprehet ai.
Reagimi vjen pasi Bordi i Transparencës vendosi çmimet e reja tavan, ku nafta nga 203 lekë/litri është rritur në 218 lekë/litri, ndërsa benzina nga 175 lekë ka shkuar në 181 lekë/litri.
Bordi u krijua nga qeveria në një situatë të jashtëzakonshme të tregut të hidrokarbureve, pas rritjes së çmimeve si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, me qëllim vendosjen e një çmimi tavan dhe shmangien e abuzimeve.
Megjithatë, sipas kritikëve, mbetet për t’u parë nëse ky mekanizëm po përmbush realisht funksionin e tij apo po ndikon në rritjen e mëtejshme të çmimeve për konsumatorët.



