Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kategorikisht zërat për përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit, pas interpretimeve të bëra mbi deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan J. D. Vance gjatë një vizite në Hungari.
Reagimi vjen pasi disa media dhe analistë i interpretuan fjalët e Vance si një sinjal të mundshëm për përdorimin e armëve bërthamore, në kuadër të tensioneve me Teheranin. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo lidhje të deklaratave me një skenar të tillë.
“Fjalë për fjalë asgjë nga ato që tha zv.presidenti nuk nënkupton armë bërthamore,” thuhet në reagimin e publikuar përmes llogarisë zyrtare RapidResponse 47, duke i cilësuar interpretimet si të pasakta.
Gjatë deklaratës së tij, J. D. Vance ishte shprehur se pret një përgjigje nga Irani lidhur me ultimatumin e vendosur nga SHBA, duke theksuar se kjo përgjigje mund të vijë brenda ditës.
“Jam i bindur se do të marrim një përgjigje, pozitive ose negative, deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme,” deklaroi ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë ende mjete të tjera në dispozicion që nuk janë përdorur.
“Kemi mjete që ende nuk i kemi vendosur të përdoren dhe presidenti mund dhe do të vendosë t’i përdorë nëse Irani nuk ndryshon sjelljen e tij,” u shpreh më tej Vance.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime dhe interpretime të ndryshme, në një moment kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të tensionuara, ndërsa Uashingtoni vijon të ushtrojë presion për ndryshim të politikave të Teheranit.



