Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për pavlefshmërinë e vendimit të datës 9 shkurt 2026 të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila vendosi kalimin për gjykim të dosjes në ngarkim të tij.
Në një deklaratë për mediat, mbrojtja e Veliajt bëri me dije se është kërkuar jo vetëm shfuqizimi i vendimit nr. 29, por edhe shpallja e pavlefshme e të gjitha veprimeve procedurale të kryera mbi bazën e tij.
Sipas avokatit Plarent Ndreca, procesi ndaj Veliajt është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore, duke përfshirë mungesën e kohës së mjaftueshme për shqyrtimin e një dosjeje voluminoze me dhjetëra mijëra faqe.
Mbrojtja pretendon se është cenuar parimi i barazisë së armëve, pasi prokuroria ka pasur avantazh procedural, ndërsa gjykimi, sipas saj, është zhvilluar në kushte që vënë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.
Po ashtu, në deklaratë thuhet se Veliaj është trajtuar në mënyrë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin e tij, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave gjyqësore.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, mbrojtja kërkon gjithashtu shpalljen si antikushtetuese të nenit 14 të ligjit nr. 95/2016, si dhe nenit 332/gj të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se këto dispozita kanë ndikuar drejtpërdrejt në cenimin e të drejtave kushtetuese.
Avokati Ndreca theksoi se kjo çështje nuk është vetëm individuale, por lidhet me funksionimin e drejtësisë në vend dhe respektimin e standardeve kushtetuese dhe evropiane.



