Sektori i transportit publik në Shqipëri ka hyrë në një situatë të rënduar, ndërsa paralajmërimi i operatorëve për masa drastike është bërë realitet, duke sjellë pasoja të menjëhershme për qytetarët.
Një ditë pas njoftimit nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, shërbimi është reduktuar me 40% të flotës në qarkullim. Si pasojë, në Tirana janë raportuar vonesa të shumta dhe fluks i lartë qytetarësh në stacionet e autobusëve.
Dhjetëra qytetarë janë detyruar të presin për periudha të gjata për të siguruar transportin, ndërsa shumë prej tyre kanë hasur vështirësi për të mbërritur në kohë në vendet e punës apo destinacionet e tjera.
Operatorët e transportit kishin paralajmëruar se ky vendim vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjes institucionale për të përballuar rritjen e kostove, veçanërisht të karburantit. Sipas tyre, deri më tani nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi dhe mungon një plan konkret për lehtësimin e barrës financiare të sektorit.
Ata theksojnë gjithashtu se nuk është ndërmarrë asnjë hap për rishikimin e taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre, duke e përkeqësuar më tej situatën ekonomike të operatorëve.
Shoqatat nënvizojnë se reduktimi i shërbimit nuk është një zgjedhje, por një masë e detyruar për të përballuar krizën, ndërsa paralajmërojnë se nëse nuk ka reagim nga institucionet, situata mund të përshkallëzohet edhe më tej në ditët në vijim.



