Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të disa kompanive të ndërtimit, në kuadër të një hetimi që synon verifikimin e burimit të të ardhurave të tyre.
Vendimi është marrë me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani, ndërsa masat përfshijnë bllokimin e llogarive të kompanive “Olt Flor”, “Olti Grup”, “Albavia”, “Standard”, “Alaska”, “Kukës Chrome Minerals” dhe “Troci 2005”.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, sekuestroja është ndërmarrë pasi ekzistojnë dyshime se fondet e këtyre subjekteve nuk justifikohen plotësisht me aktivitetin e tyre ekonomik.
Hetimet janë në vijim dhe synojnë të përcaktojnë origjinën e saktë të parave, si dhe të verifikojnë nëse ka elementë të shkeljeve ligjore, përfshirë fshehjen e të ardhurave.
Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se ndërhyrja është pjesë e një aksioni më të gjerë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe informalitetit në sektorin e ndërtimit.
Njoftimi:
Prokuroria Tiranë sekuestron dhe bllokon 73 mln lekë llogari të 6 shoqërive, të dyshuara për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë u vendosën sekuestro preventime dhe bllokim i menjëhershëm i llogarive bankare për gjashtë shoqëri me një total prej 73.051.436 lekë.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore.
Këto subjekte dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar, ku janë lëshuar dhe përdorur fatura për punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale.
Për këtë arsye, u vendos sekuestro preventive dhe bllokim i menjëhershëm i llogarive bankare për disa shoqëri, me vlera të konsiderueshme monetare si më poshtë:
• “OLT-FLOR” shpk – në vlerën 6,479,834 lekë;
• “OLTI-Group” shpk – në vlerën 1,542,834 lekë;
• “ALBAVIA” shpk – në vlerën 23,056,593 lekë (TVSH + TF);
• “Kukës Chrome Minerals” shpk – në vlerën 24,570,607 lekë (TVSH + TF);
• “Troci 2005” shpk – në vlerën 10,521,085 lekë (TVSH + TF); dhe
• “STANDART” shpk – në vlerën 6,880,483 lekë (TVSH + TF).
Nga analiza financiare rezultoi se vlera e transaksioneve të dyshuara shkon mbi 73 milionë lekë, ndërsa dëmi i mundshëm ndaj buxhetit të shtetit lidhet me mosdeklarimin dhe shmangien e pagesës së tatimeve.
Në këtë fazë të procedimit, organet është urdhëruar:
• Sekuestrimin e llogarive bankare në disa banka të nivelit të dytë;
• Bllokimin e menjëhershëm të tyre për të parandaluar lëvizjen e fondeve;
• Vijimin e hetimeve për identifikimin e plotë të personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera procedurale në vijim.



