Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Divjakë, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, ish-kryeinspektorët Romeo Leka dhe Ilir Kaboçi, së bashku me inspektorin Sulejman Muça, nuk kanë ushtruar përgjegjësitë ligjore për kontrollin e territorit në të paktën 31 raste. Organi i akuzës thekson se ata nuk kanë ndjekur procedurat ligjore në rastet e ndërtimeve pa leje, përfshirë konstatimin, vendosjen e gjobave, prishjen e objekteve dhe kallëzimet penale.
Gjithashtu, sipas dosjes hetimore, nuk janë ndërmarrë veprime për vjeljen e gjobave administrative, duke tejkaluar afatet ligjore të parashkrimit, çka ka sjellë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.
Dëmi i përllogaritur për periudhën 2021–2022 arrin në rreth 11.17 milionë lekë, si pasojë e mosarkëtimit të gjobave dhe moszbatimit të procedurave ligjore.
Çështja tashmë i ka kaluar gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.



