Përplasja për pagat e sistemit të drejtësisë vijon të thellohet. Këtë herë është Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) që i është drejtuar gjykatës administrative kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë.
Padia është depozituar më 11 shtator 2026 nga zëvendëskryetari i GJKKO-së së Apelit, Dhimitër Lara. Në proces janë përfshirë edhe Avokatura e Shtetit, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor është thirrur si person i tretë.
Në qendër të përplasjes është bërë bllokimi i pagave për muajin gusht 2026.
GJKKO Apel kërkon nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë që të konstatojë si të paligjshëm dhe të shfuqizojë shkresën e Ministrisë së Financave, me nr. 14110, datë 2 shtator 2026. Përmes këtij akti janë pezulluar urdhër-shpenzimet nr. 190 deri në 196, të cilat ishin dërguar për ekzekutim në bankat tregtare.
Përplasja për pagat
Sipas padisë, organet financiare nuk mund ta kushtëzojnë pagesën e gjyqtarëve me rikthimin e pagave në parametrat e muajit korrik.
GJKKO Apel kërkon që listëpagesat të ekzekutohen menjëherë, bazuar në Vendimin nr. 435 të KLGJ-së dhe Urdhrin nr. 73 të zëvendëskryetarit të GJKKO-së së Apelit.
Përveç padisë, gjykata ka kërkuar edhe vendosjen e një mase sigurimi të padisë, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të efekteve të aktit të Ministrisë së Financave dhe zhbllokimin e sistemit të Thesarit.
Në argumentimin e saj, GJKKO Apel i referohet edhe Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe akteve pasuese të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Sipas këtyre akteve, paga bazë referuese për kategorinë përkatëse është përcaktuar në 222,425 lekë, ndërsa për kualifikimin parashikohet edhe një shtesë prej 14,000 lekësh.
“Ekzekutivi nuk mund të kontrollojë vetëqeverisjen gjyqësore”
Një nga argumentet kryesore të GJKKO-së në këtë përplasje është se kontrolli financiar i pushtetit ekzekutiv duhet të qëndrojë brenda kufijve të përcaktuar nga ligji dhe nuk mund të shndërrohet në një kontroll administrativ mbi vendimmarrjen e organeve të vetëqeverisjes gjyqësore.
Sipas padisë, bllokimi i pagesave ka prekur jo vetëm gjyqtarët, por edhe stafin e administratës gjyqësore, për të cilin, sipas gjykatës, nuk ekziston ndonjë debat lidhur me zbatimin e parametrave të rinj të pagave.
Në padi ngrihet edhe pretendimi për një trajtim me dy standarde. Sipas GJKKO-së, ndërsa detyrimet fiskale dhe shoqërore janë llogaritur mbi bazën e pagave të reja, ekzekutimi i vetë pagave për punonjësit është bllokuar nga organet financiare.
Ndërkohë, në zhvillimin më të fundit të çështjes, Gjykata Administrative ka vendosur sot që gjyqtarët e GJKKO-së të paguhen, duke i dhënë një përgjigje përplasjes së krijuar mes institucionit gjyqësor dhe Ministrisë së Financave.



