KreuDrejtësiaGara për kreun e Gjykatës së Lartë/ Del kandidati i parë

Gara për kreun e Gjykatës së Lartë/ Del kandidati i parë

Ilir Panda ka shprehur interesin për të marrë drejtimin e Gjykatës së Lartë. Gjyqtari, i cili prej 11 marsit 2020 është pjesë e kësaj gjykate, aktualisht mban edhe detyrën e zëvendëskryetarit.

Panda është zgjedhur në këtë pozicion më 16 nëntor 2023, me vendim të Mbledhjes së Përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Kandidatura e tij vjen në ditën e fundit të afatit për dorëzimin e dokumentacionit për garën për kreun e ri të Gjykatës së Lartë.

Gara u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati trevjeçar i kryetarit aktual, Sokol Sadushi, përfundon më 17 tetor.

Sipas rregullores, në garë mund të marrin pjesë vetëm gjyqtarët që janë aktualisht pjesë e Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, mbetet për t’u parë nëse gjatë orëve të fundit të afatit do të ketë edhe kandidatura të tjera.

Kreu i ri i Gjykatës së Lartë pritet të nisë ushtrimin e detyrës më 18 tetor, një ditë pasi Sokol Sadushi të përfundojë mandatin e tij.

Kush është Ilir Panda?

Ilir Panda ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986. Më pas ka ndjekur një sërë kualifikimesh pasuniversitare në Shqipëri, në vende të ndryshme të Europës, si edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Karriera e tij në sistemin e drejtësisë është shtrirë në disa institucione dhe funksione. Ai ka punuar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si dhe si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera të arsimit të lartë.

Në vitet 1999-2000, Panda ka mbajtur detyrën e ministrit të Drejtësisë. Më vonë, nga 2003 deri në 2007, ka qenë zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Përgjatë karrierës së tij, ai ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, si dhe për përgatitjen e komentarëve, buletineve dhe manualeve në fushën e drejtësisë.

Panda ka kontribuar gjithashtu në fushën akademike dhe profesionale përmes artikujve të botuar në revista juridike e shkencore, si dhe përmes përkthimeve të ndryshme.

Tashmë, pas më shumë se gjashtë vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe pasi ka mbajtur edhe postin e zëvendëskryetarit, ai hyn në garën për të drejtuar institucionin më të lartë të gjyqësorit në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat