KreuAktualitetPolitikaGjykata zhbllokon pagat/ Rama revoltohet: Dyert e Thesarit i hap vetëm pushteti...

Gjykata zhbllokon pagat/ Rama revoltohet: Dyert e Thesarit i hap vetëm pushteti legjislativ

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për zhbllokimin e pagave të magjistratëve dhe administratës së gjyqësorit.

Administrativja pranoi kërkesën për sigurimin e padisë, duke i hapur rrugë ekzekutimit të pagave pas përplasjes mes institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave. Vendimi erdhi pasi Gjykata e Lartë dhe institucione të tjera të sistemit gjyqësor iu drejtuan gjykatës kundër bllokimit të pagesave.

Rama e ka cilësuar vendimin si një veprim të pazakontë dhe ka sulmuar shpejtësinë me të cilën, sipas tij, gjykata ndërhyri për çështjen e pagave.

“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ”, shkruan Rama, duke paralajmëruar se Kuvendi do të marrë vendim për këtë çështje më 17 shtator.

Kryeministri ka vënë në pikëpyetje edhe faktin që gjykata ka vendosur me shpejtësi për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa sipas tij mijëra dosje të qytetarëve presin prej vitesh për shqyrtim.

“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative”, shkruan Rama.

Ai e ka çuar më tej kritikën, duke e lidhur vendimin me mënyrën e përdorimit të fondeve publike.

“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, vijon kryeministri.

Në reagimin e tij, Rama ka publikuar edhe shifrat e pagave aktuale dhe shumave që kërkohen pas zbatimit të vendimit për rritjen e pagave.

Sipas të dhënave të publikuara prej tij, gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë aktualisht paguhen 336 600 lekë, ndërsa kërkojnë që paga të shkojë në 508 200 lekë.

Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, paga aktuale është 361 080 lekë, ndërsa kërkohet rritja në 526 680 lekë.

Për gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO-së, paga aktuale sipas tabelës së publikuar nga Rama është 613 224 lekë, ndërsa me rritjen e kërkuar do të arrinte në 925 848 lekë.

Përplasja vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Kushtetuesja ka përcaktuar detyrime për autoritetet përgjegjëse dhe ka ritheksuar se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Ndërkohë, qeveria ka miratuar për vitin 2026 indeksimin 2.5% të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, duke e çuar atë në 156 825 lekë në muaj, me efekte financiare nga 1 janari 2026.

Tashmë çështja pritet të kalojë në Kuvend më 17 shtator, ndërsa vendimi i Administratives ka hapur një tjetër përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor për mënyrën se si duhet të zbatohen detyrimet financiare ndaj magjistratëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat