Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të Forcave të Armatosura firmosjen e marrëveshjes mes kompanisë italiane Fincantieri dhe kompanisë shqiptare KAYO për ndërtimin e anijeve luftarake në Shqipëri.
Marrëveshja parashikon krijimin e një shoqërie të re, e cila do të prodhojë anije në kantierin detar të Pashalimanit, me qëllim furnizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe vendeve aleate.
Sipas Ramës, kjo nismë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë dhe ushtrinë, por edhe për ekonominë dhe punësimin e të rinjve.
“Ajo që e bën këtë marrëveshje të veçantë është krijimi i një ekselence italo-shqiptare në territorin tonë,” u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formimin profesional të të rinjve, veçanërisht nxënësve të shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të trajnohen nga specialistë të kompanisë italiane.
Sipas planit, Shqipëria do të përfitojë fillimisht dy anije të reja për Forcat e Armatosura, duke e çuar flotën detare në shtatë njësi, në përputhje me standardet e NATO-s.
Prodhimi pritet të zgjerohet edhe për eksport, me synimin për të sjellë teknologji të avancuar dhe për të zhvilluar industrinë detare në vend.



