Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas raportit të miratuar në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamenti Europian, duke e cilësuar atë si një konfirmim të akuzave të opozitës për zgjedhjet në Shqipëri.
Sipas Berishës, raporti evidenton se, ndonëse kuadri ligjor zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese, ai ngre shqetësime serioze për pabarazi në garë, përdorim të burimeve administrative dhe ndërthurje të institucioneve shtetërore me strukturat partiake.
“Nëse shuhen linjat midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, nuk ka më zgjedhje,” deklaroi Berisha, duke theksuar se në Shqipëri, sipas tij, procesi elektoral është zhvilluar në kushte të një “parti-shteti”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të reflektojnë mbi, siç u shpreh, “tre rreshtat kyç” të raportit, të cilat sipas tij tregojnë se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, por një “farsë elektorale e organizuar nga qeveria”.
Berisha theksoi se raporti mbështetet në vlerësimet e OSBE dhe ODIHR, si dhe në gjetjet e vëzhguesve të Parlamenti Europian që monitoruan procesin zgjedhor.
Sipas tij, dokumenti konstaton se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të “parti-shtetit”, një model që, sipas Berishës, karakterizohet nga përdorimi i shtetit për qëllime elektorale dhe presion ndaj votuesve.
Ai përmendi gjithashtu akuza për blerje vote dhe presione mbi qytetarët gjatë procesit zgjedhor, duke iu referuar edhe raportimeve të mediave dhe organizatave monitoruese në terren.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së solli si shembull edhe rastet e raportuara në disa zona, ku sipas tij janë evidentuar veprime të organizuara për ndikim në votë nga struktura kriminale, duke iu referuar raportimeve mediatike gjatë ditës së zgjedhjeve.
Berisha e cilësoi raportin si një nga dokumentet më serioze ndërkombëtare mbi procesin zgjedhor në Shqipëri dhe tha se ai përforcon tezën e opozitës për një proces të deformuar.
Në përmbyllje, ai u shpreh se opozita mbetet e angazhuar për reformën zgjedhore dhe për një proces që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke kërkuar një qasje gjithëpërfshirëse nga të gjitha palët politike.



