back to top
22.5 C
Tirana
E martë, 5 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëDy fëmijë të vrarë në trotuar/ Si gënjeu Nikoll Radaçi para hetuesve

Dy fëmijë të vrarë në trotuar/ Si gënjeu Nikoll Radaçi para hetuesve

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Radaçi, 57-vjeçarin e përfshirë në aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Vendimi vjen pas shqyrtimit të provave dhe dëshmisë së të dyshuarit, i cili akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Dëshmia e Radaçit: “Devijova për të shmangur një makinë”

Gjatë deklarimit të tij para oficerit të Policisë Gjyqësore, Radaçi ka përshkruar momentet para aksidentit, duke pretenduar se gjithçka ndodhi pasi tentoi të shmangte një automjet që doli papritur nga një rrugicë.

Sipas tij, rreth orës 14:00 kishte dalë nga shtëpia me automjetin e tij për të marrë një vegël pune te një mik. Ai theksoi se po lëvizte në korsinë e djathtë, kur u detyrua të devijonte.

“Papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet. Unë devijova për ta shmangur dhe përfundova mbi trotuar, në anën e majtë të rrugës. Aty u përfshiva në aksident me disa fëmijë që ndodheshin në trotuar”, ka deklaruar ai.

Radaçi shton se nuk arriti të ndalonte menjëherë dhe se automjeti vijoi lëvizjen për disa metra përpara. Më pas, ai thotë se ka dalë nga makina dhe u është drejtuar punonjësve të një dyqani pranë vendit të ngjarjes, duke u kërkuar të njoftonin policinë.

“Kam qëndruar aty derisa erdhi policia dhe më shoqëroi në komisariat”, është shprehur ai.

Nuk kujton automjetin tjetër, pranon konsum alkooli

Në vijim të dëshmisë, 57-vjeçari ka deklaruar se nuk mban mend detaje mbi automjetin tjetër që, sipas tij, shkaktoi devijimin fatal, dhe se nuk i njihte fëmijët e përfshirë në aksident.

I pyetur për shpejtësinë, ai është shprehur se po lëvizte me rreth 30 km/h në momentin e ngjarjes.

Ndërkohë, lidhur me testin e alkoolit, Radaçi ka pranuar se kishte konsumuar alkool para se të drejtonte automjetin.

“Kam pirë një birrë në mëngjes përpara se të drejtoja mjetin”, ka deklaruar ai, pa dhënë detaje të tjera.

Profili i të dyshuarit dhe vijimi i hetimeve

Sipas dokumenteve zyrtare, Nikoll Radaçi është i lindur në Mirditë dhe banon në Durrës. Ai ka arsim 7-vjeçar.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë rrugore dhe kontrollit të drejtuesve të mjeteve, veçanërisht në zonat e banuara.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, përfshirë verifikimin e pretendimit për praninë e një automjeti tjetër në momentin e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore në këtë rast të rëndë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat