Përplasjet brenda opozitës janë ashpërsuar, teksa ish-deputeti Ervin Salianji i është përgjigjur me tone të forta akuzave të bëra nga Flamur Noka.
Ky i fundit, përmes një postimi publik, e akuzoi Salianjin se “hiqet si opozitar” dhe nuk sulmon kryeministrin Edi Rama, ndërsa shtoi se ai ka qenë më i fokusuar në kritika ndaj opozitës sesa ndaj qeverisë.
Në reagimin e tij, Salianji përdori një gjuhë të ashpër dhe personale ndaj Nokës, duke e etiketuar me nofka dhe duke rikthyer episode nga e kaluara, përfshirë edhe një pretendim për një vizitë në burgun e Fierit.
Salianji hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se është përballur drejtpërdrejt me pushtetin dhe duke akuzuar Nokën për servilizëm ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Ai theksoi se problemi kryesor i Partise Demokratike është promovimi i figurave që, sipas tij, nuk përfaqësojnë realisht opozitën.
Debati mes dy figurave të njohura të opozitës vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme brenda radhëve të saj, duke reflektuar ndarjet dhe përplasjet e brendshme për drejtimin dhe qasjen politike.



