Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar lidhur me ngjarjen e dyshuar të helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë, duke bërë të ditur se ka ushtruar kontrolle në subjektin “Sori-Al”, kompani e cila merret me kateringun e ushqimit për institucionin.
Sipas AKU-së, informacioni për rastin është marrë përmes komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë, ndërsa menjëherë janë kryer verifikime dhe inspektime në terren.
Nga kontrollet rezulton se ushqimi nuk përgatitej në ambientet e Akademisë së Sigurisë, por transportohej i gatshëm nga kuzhinat e “Garnizonit Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, ku operon subjekti “Sori-Al”.
AKU bën të ditur se në ambientet e kuzhinës brenda Akademisë së Sigurisë u konstatuan produkte ushqimore të gatshme si pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos, nga të cilat u bllokuan rreth 85.9 kilogramë produkte, si dhe u morën mostra për analiza laboratorike pranë ISUV-it.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në ambientet e subjektit në Garnizonin “Skënderbej”, janë marrë mostra shtesë si djathë, kos, vezë dhe sallam për analiza mikrobiologjike. Po ashtu, janë bllokuar 67.3 kilogramë produkte ushqimore dhe 1350 kokrra vezë.
Në total, ndaj subjektit janë vendosur dy masa administrative me gjobë prej 100 mijë lekësh secila, për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore.
AKU thekson se gjatë inspektimeve janë konstatuar kushte të përshtatshme higjieno-sanitare, por janë evidentuar problematika në dokumentimin dhe gjurmimin e produkteve.
Autoriteti njofton se do të vijojë hetimet dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.



