back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 8 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaDenoncimi i Erion Braçes: Kontrabandë nafte Shqipëri–Kosovë/ Përfshirë dhe zyrtarë të dy...

Denoncimi i Erion Braçes: Kontrabandë nafte Shqipëri–Kosovë/ Përfshirë dhe zyrtarë të dy vendeve

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur sot në Kuvend shqetësime të forta lidhur me tregtinë e hidrokarbureve mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke folur për një skemë të dyshuar kontrabande që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt edhe në mbajtjen e çmimeve të larta të karburanteve në treg.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Braçe iu referua të dhënave të vitit 2025 për importin dhe rieksportin e hidrokarbureve, duke deklaruar se shifrat ngrenë dyshime serioze mbi destinacionin real të një pjese të madhe të karburantit që deklarohet se eksportohet drejt Kosovës.

Sipas deputetit socialist, gjatë vitit 2025 në Shqipëri janë importuar rreth 609 milionë kilogramë hidrokarbure, që përkthehen në afërsisht 700 milionë litra karburant. Ndërkohë, sipas tij, rieksporti drejt Kosovës rezulton të ketë arritur në 731 milionë litra, një shifër që ai e konsideroi problematike dhe të dyshimtë.

“Ajo që mua më shqetëson është ajo që po ndodh me rieksportin e hidrokarbureve nga Shqipëria në Kosovë, që s’e hap gojën kush për këtë”, deklaroi Braçe nga foltorja e Kuvendit.

Ai theksoi se gati një e treta e këtij rieksporti kryhet vetëm nga një kompani e vetme, çka sipas tij shton edhe më shumë dyshimet për mënyrën se si funksionon ky aktivitet tregtar.

“Afërmendsh që kam dyshime të forta që kjo naftë nuk shkon në Kosovë, kjo naftë tregtohet brenda vendit”, u shpreh deputeti socialist.

Braçe foli hapur për atë që e quajti një “histori të turpshme kontrabande” mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke pretenduar se në këtë skemë mund të jenë përfshirë edhe zyrtarë nga të dyja vendet në bashkëpunim me operatorë privatë.

“Një histori e turpshme e kontrabandës midis të dyja vendeve. Janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve që bëjnë këtë punë me të njëjtët operatorë”, tha ai.

Deputeti socialist lidhi gjithashtu fenomenin e kontrabandës me nivelin e çmimeve të karburanteve në treg, duke argumentuar se kjo praktikë favorizon mbajtjen e çmimeve të larta.

“Kontrabanda është një element shumë i rëndësishëm që mban çmime të larta. Çmimet e ulëta s’kanë asnjë vlerë për kontrabandën”, deklaroi Braçe.

Në fund të fjalës së tij, ai i bëri thirrje institucioneve fiskale dhe organeve përgjegjëse që të ndërhyjnë për të hetuar dhe goditur këtë fenomen, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për t’i dhënë fund asaj që ai e cilësoi si një histori të gjatë abuzimi me tregtinë e hidrokarbureve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat