Policia e Tiranës ka bërë publik planin e masave për protestën e opozitës, e cila pritet të zhvillohet të premten, më 8 maj, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësues të Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë për zhvillimin e tubimit, i cili do të nisë në orën 19:00.
Në kuadër të garantimit të mbarëvajtjes së protestës dhe sigurisë publike, Policia bën me dije se do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas planit të masave, nga ora 23:45 e kësaj të enjte deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, ditën e premte, duke nisur nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Po ashtu, bllokime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u ka bërë apel organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për zhvillimin e tubimit, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet në lëvizje.
Gjithashtu, uniformat blu kanë apeluar që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike gjatë protestës.



