Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për kalimin për gjykim të katër të pandehurve të përfshirë në një çështje të dyshuar korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm.
Të pandehur në këtë dosje janë ish-prokurorët e Sarandës Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, si dhe biznesmeni Vasil Bakalli dhe shtetasi Pando Papuçi.
Sipas hetimeve të SPAK, çështja lidhet me dyshime për një aferë korruptive që ka të bëjë me zbutjen e masës së sigurimit ndaj Papuçit, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje. Hetuesit pretendojnë se për këtë qëllim janë paguar në total rreth 55 mijë euro.
Sipas dosjes, Kledian Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro, të siguruara përmes biznesmenit Bakalli, ndërsa Çlirim Shahini dyshohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim të ndikimit për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Papuçi.
Prokuroria e Posaçme akuzon Llaho dhe Bakallin për “korrupsion pasiv të gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim. Shahini dhe Papuçi akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
GJKKO vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për gjykim, duke kaluar dosjen në një trup tjetër gjykues prej tre gjyqtarësh. Po ashtu, është pranuar edhe kërkesa e një prej të pandehurve për gjykim të shkurtuar.
Me vendimin e saj, gjykata urdhëroi vijimin e procedurave për shortimin e trupit gjykues dhe dorëzimin e plotë të fashikullit të hetimit brenda afateve të përcaktuara. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.



