back to top
16.5 C
Tirana
E premte, 8 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGJKKO nën presion rekord/ Krimi dhe korrupsioni e “mbushin” me dosje

GJKKO nën presion rekord/ Krimi dhe korrupsioni e “mbushin” me dosje

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përballuar gjatë vitit 2025 ngarkesën më të lartë të pesë viteve të fundit, ndërsa numri i çështjeve të reja të regjistruara ka shënuar rekord historik për këtë institucion.

Sipas raportit zyrtar të analizës së performancës, gjykata e nisi vitin 2025 me 16 çështje backlog, ose dosje të mbartura në pritje për shqyrtim, 36% më pak krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, në fund të vitit backlog-u arriti në 24 çështje, me një rritje prej 8 dosjesh për shkak të fluksit të lartë të çështjeve të reja.

Rekord regjistrimesh në 5 vitet e fundit

Gjatë vitit 2025 në Gjykatën e Posaçme të Apelit janë regjistruar 445 çështje të reja, ose 13% më shumë krahasuar me vitin 2024, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistrimeve në pesë vitet e fundit.

Pjesën më të madhe të dosjeve e zënë çështjet penale administrative, të cilat vijojnë të dominojnë ngarkesën e punës së gjykatës.

Ndërkohë, çështjet me natyrë krim u rritën me 17%, ose 10 çështje më shumë se një vit më parë dhe çështjet e ligjit antimafia ranë me 50% krahasuar me vitin 2024, megjithëse mbeten mbi nivelet e viteve 2021-2023.

Raporti evidenton se rritja e regjistrimeve të reja ka nisur që nga viti 2023 dhe ka vijuar në mënyrë progresive.

Rritet ngarkesa për gjyqtarët

Sipas të dhënave statistikore, ngarkesa mesatare për çdo gjyqtar në vitin 2025 arriti në 46 çështje, nga 45 që ishte një vit më parë.

Në total, gjykata përfundoi 437 çështje gjatë vitit, ose 9% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Nga këto, 83% ishin çështje penale administrative, 15% çështje me natyrë krim dhe 2% çështje të ligjit antimafia.

Raporti thekson se, pavarësisht rritjes së rendimentit, gjykata nuk arriti të përballonte tërësisht fluksin rekord të çështjeve të reja.

75% e vendimeve të shkallës së parë u lanë në fuqi

Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me cilësinë e vendimmarrjes.

Sipas raportit, 75% e vendimeve të shkallës së parë u lanë në fuqi nga apeli. 8% e çështjeve përfunduan me prishje vendimi dhe rikthim për rigjykim ose ndryshim vendimi si dhe 17% rezultuan me vendimmarrje të tjera.

Koha mesatare e shqyrtimit, 20 ditë

Edhe pse me një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit vijon të mbetet institucioni me afatet më të shpejta të gjykimit në sistemin gjyqësor shqiptar.

Gjatë vitit 2025, koha mesatare për përfundimin e një çështjeje ishte 20 ditë dhe 99% e çështjeve u përfunduan brenda 6 muajve.

Raporti e konsideron këtë si tregues të një menaxhimi efektiv të dosjeve dhe përkushtimi për shmangien e vonesave në drejtësi.

Norma e likuidimit bie në 98%

Një nga treguesit kryesorë të performancës, norma e likuidimit të çështjeve, rezultoi 98% në vitin 2025, me një rënie prej 4% krahasuar me vitin 2024.

Kjo do të thotë se gjykata nuk arriti të mbyllte të gjitha çështjet e reja të regjistruara gjatë vitit.

Sipas raportit, norma më e ulët e likuidimit ishte për çështjet antimafia, me 89%, për çështjet penale administrative norma ishte 99% dhe për çështjet me natyrë krim norma ishte 93%.

Mbi 3 mijë çështje të reja në Shkallën e Parë të GJKKO

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi gjatë vitit 2025 plot 3,076 çështje të reja.

Kjo shifër është 11% më e ulët krahasuar me vitin 2024, ose 383 çështje më pak.

Vazhdojne te dominojnë çështjet penale administrative, me 96% e totalit të dosjeve, 3% çështje me natyrë krim dhe 1% çështje të ligjit antimafia.

Raporti thekson se, megjithëse çështjet antimafia përbëjnë një përqindje të vogël numerike, ato mbeten me rëndësi të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat