Deputeti socialist Erion Braçe ka komentuar për herë të parë debatet publike mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, duke deklaruar se nuk sheh asnjë arsye pse ajo duhet të përjashtohet nga Partia Socialiste e Shqipërisë.
I ftuar në Euronews Albania, Braçe u shpreh se deklaratat e Spiropalit janë normale dhe se kritikat brenda partisë nuk duhet të konsiderohen problem.
“Pse duhet të përjashtohet zonja Spiropali? Nuk e kuptoj pse duhet të kërkohet përjashtimi i saj. Këto janë gjëra normale në këndvështrimin tim”, deklaroi Braçe.
Ai shtoi se brenda një force politike duhet të ketë hapësirë për debat dhe kritikë ndaj mënyrës së qeverisjes.
“Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë, se nuk është sakrilegj të pranosh kritika për pushtetin”, tha deputeti socialist.
I pyetur nëse Rama mund të vendosë përjashtimin e Spiropalit nga grupi parlamentar, Braçe theksoi se vendime të tilla nuk merren nga individë, por nga partia.
“Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, u shpreh ai.
Braçe pranoi gjithashtu se shqetësimet e ngritura nga Spiropali lidhur me “ministrokracinë” dhe “drejtorokracinë” janë reale dhe ndihen edhe nga deputetët socialistë.
Sipas tij, personalizimi i pushtetit dhe pabarazia mes ministrave dhe deputetëve ka krijuar probleme brenda mazhorancës.
“Është një element i pabarazisë mes atyre që janë ministra dhe deputetë, që kanë gjithë hierarkinë e shtetit në varësinë e tyre, dhe ne të tjerëve që nuk kemi asgjë”, deklaroi Braçe.
Ai shtoi se kjo situatë është ndjerë si në qeverinë aktuale, ashtu edhe në mandatet e mëparshme të socialistëve.
Në lidhje me deklaratat e Ramës se Spiropali është “investim” i tij politik, Braçe tha se kjo mbetet një marrëdhënie personale mes kryeministrit dhe deputetes.
“Nëse zonja e pranon këtë gjë dhe kryeministri e pranon këtë gjë, atëherë është një marrëdhënie mes të dyve”, tha ai.
Megjithatë, Braçe theksoi se të gjithë politikanët socialistë janë produkt i Partisë Socialiste dhe kanë detyrim ndaj saj.
“Ne të gjithë jemi investime të Partisë Socialiste dhe jemi deficitarë ndaj saj”, përfundoi deputeti socialist.



