Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar situatën lidhur me hantavirusin, duke theksuar se në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar dhe se rreziku për përhapje në vend dhe në Europë vlerësohet shumë i ulët.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e ISHP-së bënë të ditur se situata epidemiologjike po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa janë marrë masa paraprake për identifikimin e rasteve të dyshuara dhe gjurmimin e kontakteve të mundshme.
Institucioni theksoi se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në gatishmëri për të menaxhuar çdo situatë që mund të paraqitet, megjithëse aktualisht nuk ka vend për alarm.
ISHP njoftoi gjithashtu se është në komunikim me autoritetet shëndetësore të Greqi, pas një rasti të raportuar me një shtetas grek të lidhur me anijen turistike MV Hondius, ku është shënuar një shpërthim i virusit.
Sipas institucionit, rasti po ndiqet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa është përjashtuar mundësia e përhapjes në formë pandemie.
Zyrtarët e ISHP-së sqaruan se lloji i hantavirusit i raportuar në këtë rast është specifik dhe nuk qarkullon në Europë apo në Shqipëri, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh shumë rrallë dhe vetëm në kushte të kontakteve të ngushta dhe të zgjatura.
“Nuk ka fare rrezik. Rrisku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët. Nuk ka asnjë kufizim të udhëtimeve apo tregtisë”, u shpreh përfaqësuesi i ISHP-së.
Institucioni konfirmoi se deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i hantavirusit në Shqipëri, ndërsa shërbimet shëndetësore mbeten në gatishmëri për çdo situatë të mundshme emergjente.



