back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaAvokati shpjegon simbolin e “çuditshëm” të Ilir Metës në gjyq

Avokati shpjegon simbolin e “çuditshëm” të Ilir Metës në gjyq

Pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, avokati i Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar lidhur me një fotografi të ish-presidentit që po qarkullon në rrjetet sociale dhe që ka ngjallur diskutime mbi gjestin e bërë me duar gjatë daljes në sallë.

Cakrani sqaroi se Meta nuk ka bërë simbolin e numrit “7”, siç është interpretuar në rrjet, por simbolin e shqiponjës.

“Nuk bëri simbolin 7. Bëri shqiponjën. Nuk ka përvjetor. Është në lartësinë që e kërkon funksioni i tij si kryetar i PL-së. Ishte mirë nga ana fizike, i palestruar edhe nga ana mendore”, deklaroi avokati.

Edhe Monika Kryemadhi komentoi gjendjen e ish-bashkëshortit të saj, duke u shprehur se Meta është në gjendje shumë të mirë fizike dhe psikologjike.

Komentet e saj erdhën menjëherë pas daljes nga ambientet e GJKKO-së, ku ajo foli për zhvillimet gjatë seancës dhe për hetimin ndaj saj dhe Metës.

Kryemadhi hodhi poshtë pretendimet për përkeqësim fizik të Metës gjatë qëndrimit në qeli, duke shpjeguar se në seancën e kaluar atij i ishte çuar një kostum me masë më të madhe se ç’duhej.

“Ilir Meta është top formë. Në posturë është drejt. I kishin çuar kostumin e gabuar javës së kaluar. I kishin çuar masë të madhe, 56. Duhet t’ia çonin 52-53. Unë jam si të verbërit vëlla, që me dorë e njoh Ilir Metën”, tha ajo.

Ajo foli edhe për një episod të ndodhur gjatë seancës, ku sipas saj në sallën e re të gjykatës kishte probleme me kondicionerin.

“Nuk kishte tensione. I vetmi tension ishte që filloi të na pikonte kondicioneri i ri te salla e re. Ishin blloku tubat”, deklaroi Kryemadhi.

Në vijim, ajo e cilësoi procesin ndaj saj dhe Metës si një çështje politike dhe tha se drejtësia e re po përdoret në mënyrë selektive.

“Gjyqi mes meje, Ilir Metës dhe drejtësisë së re është një gjyq politik dhe ne që kemi qenë edhe shkaktarët e Reformës në Drejtësi, do paguajmë faturat tona, që po i paguajmë”, u shpreh ajo.

Kryemadhi shtoi se ndarja e çështjes për disa persona të tjerë të përfshirë në hetim është një zhvillim pozitiv, duke argumentuar se nuk duhet të penalizohen persona që sipas saj janë të pafajshëm.

Ajo foli gjithashtu për analizat financiare të kryera ndaj familjarëve të saj, duke pretenduar se burimet financiare të nënës së saj janë të justifikuara dhe të deklaruara ndër vite.

“Pretendimet për abuzim nga mamaja ime nuk qëndrojnë, sepse është hetuar që atëherë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë”, deklaroi Kryemadhi.

Sipas saj, në hetim janë përfshirë edhe shpenzime që lidhen me operacione shëndetësore të saj, vajzës dhe vetë Metës, të cilat ajo tha se kanë qenë të deklaruara.

“Ilir Meta, për fatin e tij të mirë, duke qenë burrë shteti, ai nuk është marrë kurrë me gjërat e shtëpisë. S’është pjesë e asnjë lloj shpenzimi”, tha ajo.

Në fund të deklaratës së saj, Kryemadhi bëri edhe një koment me tone personale dhe politike, duke iu drejtuar prindërve të rinj.

“Iu bëj thirrje gjithë prindërve të rinj që të kujdesen për fëmijët, sepse hallet e politikanëve s’kanë për të përfunduar kurrë. Politikanët e rinj i kanë faturat më të shtrenjta se ne të vjetrit të gjithë bashkë”, përfundoi ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat