Presidenti i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin për një vizitë dyditore dhe bisedime të nivelit të lartë me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment të tensionuar për marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Trump mbërriti në kryeqytetin kinez pak para orës 20:00 me orën lokale, ndërsa pritja u shoqërua me ceremoni zyrtare dhe masa të larta protokollare.
Presidenti amerikan u prit në aeroport nga zëvendëspresidenti kinez Han Zheng, si dhe nga zyrtarë të lartë të të dy vendeve.
Në pritje ishin gjithashtu ambasadori amerikan në Kinë, David Perdue, ambasadori kinez në SHBA, Xie Feng, si dhe zëvendësministri i Jashtëm kinez, Ma Zhaoxu.
Elon Musk dhe drejtues të teknologjisë në delegacion
Pas Trump në tapetin e kuq u panë edhe figura të njohura të biznesit dhe teknologjisë, përfshirë djalin e tij Eric Trump, Lara Trump, si dhe drejtuesin ekzekutiv të Tesla, Elon Musk, dhe CEO-n e NVIDIA, Jensen Huang.
Ceremonia e mirëseardhjes përfshiu paradë ushtarake, bandë ceremoniale dhe qindra të rinj kinezë me flamuj amerikanë dhe kinezë.
Takimi zyrtar mes Trump dhe Xi Jinping është planifikuar për të enjten në mëngjes sipas orës kineze.
Sipas raportimeve, bisedimet pritet të fokusohen në:
- marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë;
- përplasjet teknologjike mes dy vendeve;
- çështjen e Tajvanit;
- luftën me Iranin dhe ndikimin e saj në tregjet globale të energjisë dhe sigurinë ndërkombëtare.
Vizita zhvillohet në një periudhë tensionesh të forta gjeopolitike dhe rivaliteti në rritje mes Uashingtonit dhe Pekinit për ndikimin ekonomik, teknologjik dhe strategjik në nivel global.



