Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë sot nga Gjykata e Apelit, me pezullimin e dënimit për përjashtimin e disa deputetëve të PD nga jeta parlamentare.
Vendimi i Gjykatës erdhi, një ditë më pas, pasi PD-ja ndërpreu mosbindjen civile dhe u rikthye në Kuvend.
Nuk dihet nëse është rastësi apo vendosja e një paqeje të heshtur me mazhorancën.
Reagimi:
Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës.
Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Ne presim me padurim që t’i vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend.
Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.
Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës!