back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësia58% e të burgosurve në Shqipëri, në paraburgim/ Olsian Çela jep alarmin

58% e të burgosurve në Shqipëri, në paraburgim/ Olsian Çela jep alarmin

Në raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela evidentohet një analizë e detajuar mbi masat e sigurimit në sistemin penal, me fokus të veçantë tek përdorimi i masës “arrest në burg”.

Sipas raportit, Prokurori i Përgjithshëm, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, ka monitoruar zbatimin e udhëzimit të përgjithshëm nr. 7/2024 “Për masat e sigurimit”, përmes kërkesave për informacion dhe analizës statistikore. Në këtë kuadër është vlerësuar e nevojshme edhe nisja e një inspektimi tematik, në bashkëpunim me Inspektorn e Lartë te Drejtësisë, për të identifikuar problematikat në zbatimin e kritereve për caktimin e masës “arrest në burg”, veçanërisht për veprat penale me dënim maksimal deri në 7 vite burg.

Raporti thekson se, megjithëse kuadri ligjor dhe nënligjor është i plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktika gjyqësore vijon të mbetet e orientuar drejt masave të rënda të sigurimit.

Sipas analizës, përdorimi i arrestit në burg mbetet i ndikuar nga një qasje tradicionale dhe shpesh i mbështetur nga gjykatat, ndërsa vihen re sfida si zgjatja e proceseve penale dhe ngarkesa e sistemit gjyqësor pas procesit të rivlerësimit.

Në aspektin krahasues, raporti evidenton se Shqipëria renditet mbi mesataren europiane për përdorimin e paraburgimit, me rreth 58% të popullsisë së burgjeve në status paraburgimi, kundrejt mesatares europiane prej 21.7%. Po ashtu, numri i të paraburgosurve për 100 mijë banorë në Shqipëri vlerësohet rreth 110, dukshëm mbi mesataren europiane prej 41.

Analiza e periudhës 2007–2025 tregon se pesha e masës “arrest në burg” në raport me masat e tjera shtrënguese ka pësuar rënie graduale, nga rreth 68% në periudhën 2007–2017, në 51% në periudhën 2018–2025. Në pesë vitet e fundit, kjo shifër është rreth 49%.

Sipas të dhënave për periudhën 2021–2025, masat me arrest përbëjnë mesatarisht 57% të kërkesave të prokurorisë dhe 51% të vendimeve gjyqësore. Në raport me të pandehurit e regjistruar, arresti në burg kërkohet për rreth 21% të rasteve.

Raporti thekson gjithashtu se vetëm rreth 1.2% e çështjeve me masë “arrest në burg” përfundojnë me pushim akuze, duke treguar se në shumicën dërrmuese të rasteve këto çështje vijojnë deri në gjykim.

Në përfundim, Prokuroria vlerëson se nevojitet forcimi i përdorimit të masave alternative ndaj paraburgimit, në përputhje me standardet evropiane të proporcionalitetit, domosdoshmërisë dhe kufizimit të lirisë si masë përjashtimore dhe jo rregull.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat