Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në mesnatë në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku mbeti i plagosur efektivi i Policisë së Shtetit, Anxhelo Kumaraku.
Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes, shtetasit Aldo Lika, 33 vjeç dhe Ali Lika, 22 vjeç, të cilët janë vëllezër.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të rinjtë kanë qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tyre në drejtim të shtetasit Kejdi Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij së bashku me efektivin Anxhelo Kumaraku dhe një person tjetër me inicialet L.D.
Gjatë të shtënave, efektivi Kumaraku është plagosur aksidentalisht në këmbë. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor.
Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të policisë, ndërsa ndaj tij ka nisur hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për shkelje të rëndë disiplinore.
Sipas autoriteteve, efektivi është konstatuar duke u shoqëruar me shtetasin Kejdi Spaja, i cili rezulton të kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga gjykata për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia arrestoi Kejdi Spaja për shkelje të masës së sigurisë, ndërsa vijon puna për kapjen e dy vëllezërve të shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se ndaj efektivit Kumaraku rëndon edhe fakti që ai nuk ka njoftuar strukturat policore dhe eprorët për praninë dhe shkeljen e masës së sigurisë nga Spaja.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po kryhen në bashkëpunim mes Prokurorisë së Tiranës, Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.



