Konflikti mes dy ish-ortakëve, biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Llukes, për projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po thellohet, me përplasje të reja në terren dhe akuza të ashpra publike.
Sipas raportimeve, mëngjesin e sotëm përfaqësues të kompanisë së Valon Llukës nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë “Mabco”, të lidhur me Pacollin, të hyjnë në kantierin e ndërtimit të aeroportit.
Për Pacollin, ky veprim është i papranueshëm dhe përbën sjellje kriminale, duke e akuzuar ish-partnerin për veprime të paligjshme dhe shkelje të marrëveshjeve mes tyre.
Në një reagim të gjatë publik, Pacolli ka akuzuar Llukan për tradhti, falsifikim dokumentesh dhe përfitime të paligjshme, duke pretenduar se ai është pasuruar gjatë bashkëpunimit në grupin “Mabetex” dhe më pas ka vepruar kundër interesave të ortakëve.
Ai ka deklaruar gjithashtu se kompania e tij është përballur prej muajsh me pengesa në kantierin e Vlorës dhe se çështja po shoqërohet me vendime gjyqësore të përkohshme që ai i konsideron të padrejta.
Pacolli shton se pas 18 vitesh bashkëpunim, Lluka ka “tradhtuar besimin” dhe ka kryer veprime që sipas tij përfshijnë tjetërsim prone dhe shantazh.



