Përmes një reagimi publik, Pacolli u shpreh se aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me fondet e tij financiare dhe se kompania e tij “MABCO” ka investuar dhe garantuar shuma të konsiderueshme për realizimin e punimeve.
“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”, deklaroi Pacolli.
Reagimi i tij vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në kantierin e aeroportit, ku sipas tij, Policia e Shtetit nuk ka lejuar punonjësit e kompanisë “MABCO” të hyjnë në ambientet e punës, duke favorizuar aksionerin tjetër minoritar, me të cilin Pacolli ndodhet në konflikt.
Biznesmeni kosovar theksoi se të gjithë nënkontraktorët dhe detyrimet financiare do të shlyhen deri në “centin e fundit”, ndërsa shtoi se do të përpiqet të sistemojë punëtorët dhe ekspertët e angazhuar në projekte të tjera jashtë vendit.
Pacolli ngriti shqetësime edhe për mënyrën e ndërhyrjes së policisë në kantier, duke pretenduar se janë cenuar dinjiteti dhe të drejtat e punëtorëve.
“Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat dhe materialet e punës. Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës”, u shpreh ai.
Sipas Pacollit, dëmi më i madh nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por edhe me besimin te shteti dhe imazhin e Shqipërisë për investitorët e huaj.
Ai shtoi gjithashtu se objektet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte caktuar për t’u përfunduar nga “MABCO” janë tashmë të përfunduara, ndërsa kompania ka vijuar punimet për pastrim, sistemim dhe gjelbërim edhe gjatë muajve të fundit.



