Autoritetet franceze kanë pezulluar përkohësisht kontrollet shtesë kufitare të Bashkimit Evropian në portin e Doverit, pas krijimit të radhëve të gjata dhe vonesave të mëdha gjatë nisjes së fluksit të udhëtimeve për fundjavën e majit.
Sipas autoriteteve të portit, udhëtarët janë përballur me pritje deri në dy orë për të hyrë në terminal, si dhe me vonesa shtesë deri në dy orë e gjysmë për përfundimin e procedurave të kontrollit kufitar. Situata është përkeqësuar nga fluksi i lartë i automjeteve dhe temperaturat e larta gjatë fundjavës.
Porti i Doverit bëri të ditur se kishte komunikuar me autoritetet kufitare franceze për të menaxhuar “situatën sfiduese”, ndërsa pezullimi i përkohshëm i kontrolleve shtesë ndihmoi në lehtësimin e trafikut dhe reduktimin e radhëve në zonën e terminalit dhe rrugët përreth.
Kontrollet e shtuara lidhen me sistemin e ri dixhital të Bashkimit Evropian, i cili parashikon regjistrimin biometrik të udhëtarëve që nuk janë shtetas të BE-së, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe skanimit të fytyrës.
Edhe pse sistemi ende nuk është aktivizuar plotësisht në Dover, autoritetet franceze po mbledhin të dhënat e udhëtarëve për implementimin e ardhshëm, çka ka shkaktuar ngadalësim të procedurave dhe radhë të gjata.
Më vonë gjatë ditës, kontrollet shtesë u rivendosën, ndërsa procedurat standarde kufitare vijuan normalisht gjatë gjithë kohës.
Drejtori ekzekutiv i Portit të Doverit, Doug Bannister, deklaroi për BBC se mbi 8,000 automjete priteshin të kalonin gjatë së shtunës, duke e cilësuar procesin si tepër të ngadaltë.
Ai shtoi se janë vendosur 84 kioska për sistemin e ri dixhital, por pranoi se ritmi i përpunimit të udhëtarëve mbetet ende problematik.



