Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar unanimisht statutin e ri të partisë, pavarësisht diskutimeve dhe debateve të zhvilluara gjatë mbledhjes. Po ashtu, është miratuar edhe lista për Këshillin Kombëtar, e cila pritet të pësojë disa ndryshime të vogla përpara publikimit zyrtar.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi mbledhjen si “një mbledhje me vendime shumë të rëndësishme”, duke theksuar se me Kuvendin Kombëtar finalizohet procesi i zgjedhjeve në parti dhe hidhen bazat për një transformim të thellë të saj.
“Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ky transformim nënkupton ripërtëritjen e forcës politike, modernizimin e strukturave dhe forcimin e organizimit në të gjitha nivelet. Ai tha se objektivi kryesor mbetet rikthimi i votës së lirë dhe rikthimi i PD-së në pushtet.
Berisha theksoi se partia do të fokusohet tek organizimi në bazë, duke e cilësuar seksionin si themelin e Partisë Demokratike. Ai bëri thirrje për hapjen e dyerve ndaj anëtarësimeve të reja dhe angazhimeve të reja politike.
“Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja”, u shpreh ai.
Lideri demokrat foli edhe për nevojën e rritjes së eficencës brenda partisë dhe përdorimin e teknologjisë moderne, përfshirë digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale, për të shumëfishuar kapacitetet organizative dhe politike të PD-së.
Në fund, Berisha tha se programi i Partisë Demokratike do të konsultohet me think-tank-et më të mira në Europë dhe në SHBA, duke e konsideruar këtë një avantazh të rëndësishëm për të ardhmen e partisë.



