Presidenti amerikan Donald Trump ka rinisur betejën e tij ligjore kundër The Wall Street Journal, duke depozituar një padi të rishikuar për shpifje ndaj botuesve të gazetës, pasi gjykata hodhi poshtë padinë e tij të mëparshme.
Përplasja lidhet me një raport të publikuar nga gazeta për një letër të supozuar “të turpshme” që Trump dyshohet se ia kishte dërguar financierit Jeffrey Epstein për 50-vjetorin e tij.
Muajin e kaluar, një gjykatë distrikti në Florida rrëzoi padinë fillestare të Trump. Gjykatësi Darrin P. Gales argumentoi se presidenti nuk kishte arritur të provonte në mënyrë të besueshme se gazeta kishte vepruar me “keqdashje” gjatë publikimit të materialit dhe se pretendimet e tij nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore.
Sipas The Wall Street Journal, në padinë e re Trump përsërit pretendimin se gazeta ka vepruar me keqdashje, ndërsa thekson se ai ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me letrën në fjalë.
Ashtu si në padinë e parë, presidenti amerikan kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Raporti i WSJ-së vitin e kaluar pretendonte se letra, e dërguar në vitin 2003 për ditëlindjen e 50-të të Epstein, mbante firmën e Trump dhe përmbante tekst me nënkuptime seksuale, si dhe një skicë të një figure femërore. Trump ka mohuar kategorikisht se e ka shkruar atë.
Pas publikimit, Trump ngriti padi edhe ndaj magnatit të medias Rupert Murdoch, kompania mediatike e të cilit zotëron Wall Street Journal.
Presidenti amerikan ka qenë shpesh kritik ndaj mediave që i konsideron armiqësore, duke sulmuar vazhdimisht organizata si Washington Post, CNN dhe BBC.
Emri i Trump është përmendur më parë në dokumentet që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi të dy njiheshin gjatë viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000. Megjithatë, deri më tani nuk janë paraqitur prova që ta lidhin Trump me aktivitetet kriminale të Epstein, ndërsa presidenti ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka qenë kurrë “mik” i tij.



