Organizata Reporterët Pa Kufij (RSF) i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin mbi lirinë e medias në Shqipëri, pasi kreu i qeverisë vuri në diskutim vlerësimet e organizatës duke cituar raporte alternative dhe të dhëna të bazuara në inteligjencë artificiale.
Në një reagim në rrjetin social X, RSF i kërkoi Ramës që energjia të fokusohet te problematikat konkrete të medias në vend dhe jo te kundërshtimi i indeksit të organizatës.
“Kryeministër Edi Rama, në vend që të përpiqeni kot të provoni se indeksi i Reporterëve Pa Kufij është i gabuar, ne propozojmë që energjia të investohet në adresimin e problemeve kronike të lirisë së medias në Shqipëri. Së bashku me partnerët lokalë, RSF është e gatshme për dialog mbi propozimet e saj”, thuhet në reagimin e organizatës.
Përgjigjja e kryeministrit nuk vonoi. Rama tha se qëllimi i tij nuk ishte të provonte se organizata kishte gabim, por të sillte në vëmendje të dhëna shtesë që, sipas tij, tregojnë se media shqiptare nuk mund të cilësohet si “e kapur”.
Kreu i qeverisë shprehu habi ndaj reagimit të RSF-së ndaj të dhënave që ai i cilësoi si të verifikuara dhe të rëndësishme, duke argumentuar se Shqipëria ndodhet larg parametrave që lidhen me sistemet mediatike të kapura.
“Qëllimi im nuk ishte të provoja se e kishit gabim, por të ndaja informacion shtesë të bazuar në fakte. Shqipëria mbetet larg përmbushjes së përkufizimit të një mjedisi mediatik të kapur, pavarësisht sfidave reale që ekzistojnë”, shkroi Rama.
Ai mirëpriti gjithashtu ftesën për dialog, duke kërkuar një datë dhe vend për takim, ndërsa theksoi se “afrimi me të vërtetën ka më shumë rëndësi sesa kapja pas përfundimeve që mund të kenë nevojë për rishqyrtim”.
Debati vjen pasi raporti i fundit i Reporterëve Pa Kufij e renditi Shqipërinë në vendin e 83-të për lirinë e shtypit, duke regjistruar rënie krahasuar me një vit më parë.
Më herët, Rama publikoi raportin e SIGMA-OECD për vlerësimin e Agjencisë për Media dhe Informim, ndërsa më pas solli në vëmendje edhe raportet e AMA-s dhe analizat e platformës “Bulletin Intelligence”, për të argumentuar se opozita dominon hapësirën mediatike dhe se pretendimet për media nën kontroll qeveritar nuk mbështeten nga të dhënat.



