Partia Demokratike ka vijuar qëndrimin kritik ndaj protestës për çështjen e ndërtimeve në Zvërnec, ndërsa numri dy i saj, Flamur Noka, ka sulmuar ashpër organizatorët dhe protestuesit.
Në një reagim publik, Noka i ka cilësuar ata si të nxitur nga rrjeti i George Soros dhe i ka lidhur me kundërshtinë ndaj figurave politike ndërkombëtare, përfshirë Donald Trump dhe Jared Kushner.
Ai ka pretenduar se pas protestës qëndrojnë interesa të fshehta politike dhe, sipas tij, qeveria përdor “instrumentalizime” për të kontrolluar protesta të tilla. Noka ka akuzuar gjithashtu organizata të shoqërisë civile për mungesë reagimi në raste të mëparshme të ngjarjeve të rënda në vend.
Deklaratat e tij përfshijnë edhe kritika të ashpra ndaj institucioneve dhe qeverisjes së kryeministrit Edi Rama gjatë 13 viteve të fundit, duke sjellë në vëmendje disa ngjarje të rënda kriminale dhe sociale.
Reagimi i Nokës vjen në një kohë kur protesta për Zvërnecin ka vijuar për disa ditë me radhë dhe ka sjellë debate të forta politike dhe ndarje të thella mes palëve.



