“Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër një projekti të madh zhvillimi turistik në zonën e Zvërnecit, në bregdetin shqiptar të Adriatikut, i cili lidhet me firmën e investimeve “Affinity Partners”, të drejtuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, shkruan Reuters.
Projekti, me një vlerë të raportuar rreth 1.4 miliardë euro, parashikon zhvillimin e një resorti në një zonë pranë peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë, një zonë e njohur për ligatinat dhe biodiversitetin e saj, ku jetojnë specie të ndryshme shpendësh dhe kafshësh të egra, përfshirë flamingot dhe breshkat e detit.
Kundërshtimet e ambjentalistëve
Organizatat mjedisore dhe aktivistët e kanë kundërshtuar projektin, duke paralajmëruar se ai mund të ndikojë në qindra hektarë plazhe dhe habitate natyrore të paprekura. Sipas tyre, zhvillimi i planifikuar rrezikon një nga zonat më të ndjeshme ekologjikisht në vend.
“Ne kërkojmë ndalimin e të gjitha ndërhyrjeve dhe largimin e mjeteve të rënda nga zona e mbrojtur”, deklaroi ekologu Joni Vorpsi nga organizata PPNEA-BirdLife Albania. Sipas tij, projekti do të krijonte një kompleks të madh turistik që do të ndryshonte rrënjësisht karakterin natyror të zonës.
Protesta në Tiranë
Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë në Tiranë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Kombi nuk është në shitje” dhe “Nuk e dua Shqipërinë si Dubai”. Disa prej tyre sollën edhe figura simbolike të flamingove të fryra, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve në habitatet natyrore.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kërkuan ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e zonave të konsideruara të mbrojtura nga ligji, ndërsa situata u shoqërua me një pjesëmarrje të lartë qytetare.
Nga ana tjetër, kompania “Sazan Real Estate Development LLC”, që po bashkëpunon me “Affinity Partners”, ka deklaruar se projekti do të zhvillohet me përgjegjësi dhe në përputhje me procedurat ligjore.
“Fokusi ynë është administrimi i përgjegjshëm, përmirësimi i mjedisit, krijimi i vendeve të punës dhe vlera afatgjatë për komunitetet lokale”, u shpreh kryetari i kompanisë, Asher Abehsera, duke theksuar respektimin e proceseve institucionale.
“Affinity Partners” dhe vetë Jared Kushner nuk kanë dhënë koment për kërkesat e mediave ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Është e rëndësishme që Shqipëria të mbetet mikpritëse ndaj investitorëve dhe të mos krijojë klimë armiqësore ndaj tyre”, është shprehur ai, duke shtuar se projekti nuk do të ndalet gjatë mandatit të tij.



