Një operacion për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, Maliq, është shndërruar në tragjedi mëngjesin e sotëm, ku humbi jetën një efektiv policie dhe mbeti i plagosur një tjetër.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, 43-vjeçari Violand Braçellari, i shpallur në kërkim për vepra të lidhura me narkotikët dhe i dënuar me 9 vite, 11 muaj e 7 ditë burgim, ishte fshehur në një stan në malin Boden, në njësinë administrative Lozhan.
Rreth orës 07:30, forcat e Policisë së Korçës, Maliqit dhe efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” rrethuan zonën, duke i bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej. Por sipas policisë, ai refuzoi dhe hapi zjarr ndaj uniformave blu.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë në krye të detyrës inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Gjithashtu, u plagos inspektori Edison Adri, 36 vjeç.
Për neutralizimin e sulmit, efektivët iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke plagosur 43-vjeçarin, i cili më pas u arrestua.
Policia bën me dije se Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët, në vitin 2011, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Në vendngjarje është nisur edhe helikopteri i shëndetësisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.



