Nga Anton Hasanpapaj
Unë besoj se protesta është diçka e mirë. Protesta është shenjë që shoqëria ende reagon, ende kundërshton dhe ende nuk është dorëzuar përballë pazareve politike që bëhen mbi kurrizin e interesit publik.
Në Shqipëri, sa herë ndodhin zhvillime të mëdha, investime strategjike apo lëvizje të rëndësishme politike, është e pamundur të mos mendosh se pas tyre nuk ka vetëm interesa të brendshme.
Historia ka treguar se shërbimet inteligjente të shteteve fqinje apo më gjerë, interesat e huaja dhe rrjetet e ndikimit nuk janë fantazi. Ato janë reale dhe shpesh kanë qenë të pranishme në mënyrën se si është orientuar politika, qeverisja dhe vendimmarrja në vend.
Problemi nuk është thjesht se shtetet e huaja kanë interesa. Kjo është normale në politikën ndërkombëtare. Problemi është kur këto interesa realizohen drejtpërdrejt përmes marrëveshjeve me politikën vendase, kur qeverisja bëhet instrument për interesa të jashtme dhe personale, jo për interesin publik.
Prandaj protesta është e drejtë dhe e nevojshme.
Ky popull e kupton shumë mirë se çdo rast dakordësimi mes Ramës dhe Berishës është një lajm i keq për Shqipërinë. Çdo dakordësi e tillë duhet lexuar si sinjal alarmi, sepse çdo rast i mëparshëm i kësaj dakordësie nuk ka prodhuar zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, por ka shërbyer si instrument i intrigës politike, i ruajtjes së pushtetit dhe i mbrojtjes së aferave personale.
Këto dakordësi nuk kanë qenë marrëveshje për interesin publik, nuk kanë qenë akte përgjegjësie shtetërore dhe nuk kanë sjellë forcim të demokracisë apo të institucioneve. Përkundrazi, ato kanë krijuar kosto për vendin, kanë dëmtuar besimin e qytetarëve dhe kanë treguar se, kur interesat e tyre personale preken, kundërshtarët e mëdhenj politikë dinë të bëhen bashkë për të ruajtur sistemin që i mban të paprekshëm.
Kjo është politikë e mbrapshtë intrigash pushteti dhe aferash personale. Nuk ka kurrfarë lidhjeje me interesin publik. Ka lidhje me pushtetin, me pazaret, me ndikimin dhe me mënyrën se si politika shqiptare, në vend që të mbrojë qytetarin, shpesh e përdor atë si dekor për vendime që janë marrë diku tjetër.
Prandaj protesta nuk duhet parë si pengesë ndaj investimit apo zhvillimit, por si reagim qytetar ndaj mungesës së besimit. Investimi i vërtetë kërkon shtet të drejtë, institucione të besueshme, konkurrencë të ndershme dhe politikë që nuk e sheh vendin si pronë të përkohshme për pazare pushteti.
Shqipëria nuk dëmtohet nga protesta. Shqipëria dëmtohet kur vendimet e mëdha merren pa transparencë, kur qytetarët përjashtohen nga e vërteta dhe kur interesat publike zëvendësohen nga marrëveshje të errëta politike.